2012

“Fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist “

 (Vëllimi i parë; nga a – ç)

 Drejtues i grupit të punës: Azem QAZIMI

 Metoda dhe kriteret e ndjekura:

Hartimi i këtij fjalori enciklopedik, niset nga një ide e thjeshtë: në mbarim të çdo lufte, veprimi i parë që kryhet, është numërimi i viktimave, hartimi i një liste zyrtare të viktimave. Nën një rregjim terrori, i cili zgjati për afër 50 vjet, përmasat e plojës tejkalojnë çdo betejë të thjeshtë. Prandaj, duke patur parasysh se nuk ekziston një detabazë e plotë e viktimave që shkaktoi përsekutimi komunist (përveç të dhënave të vitit 1993) që nga prishjes e marrëveshjes së Mukjes, ISKK vendosi të fillojë projektin e këtij Fjalori në shtatë vëllime plus një vëllim me shtojca e plotësime. Më këtë projekt të Fjalorit, ne synojmë, përveç një evidentimi të viktimave që iu nënshtruan represionit ideologjik dhe luftës së klasave, edhe nevojën për krijimin e një detabaze të të dhënave të plota mbi qytetarët e persekutuar politikisht nga regjimi.

Ky Fjalor Enciklopedik merr në shqyrtim të imtësishëm pa përjashtim çdo qytetar që iu nënshtrua përndjekjes direkte, pavarësisht nga funksionet apo përkatësia social-politike që ka patur para dhe gjatë regjimit komunist.

Fjalori do t’u përmbahet rigorozisht kritereve të mëposhtme metodologjike:

1. Neutraliteti në trajtimin e thukët të informacionit për çdo njësi (zë) të Fjalorit, duke respektuar stilistikën adekuate të Fjalorëve enciklopedikë të këtyre llojeve dhe duke shmangur subjektivitetin në trajtimin e informacionit. Për këtë qëllim janë konsultuar disa modele të Fjalorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke patur parasysh specifikat e rasteve shqiptare .

2. Pasqyrimi sipas niveleve të rëndësisë së çdonjërit zë (njësi). Rëndësia si koncept në trajtimin e zërave rrjedh vetvetiu nga shkalla e aktivitetit dhe informacion biografik të secilit të persekutuar. Kësisoj paraqitja e zërave në Fjalor, është realizuar në tre shkallë: a) ish-funksionarë politikë (ministra, zv/ministra, deputetë, ambasadorë të shtetit shqiptar para dhe pas vitit 1944); b) klerikë, intelektualë – kundërshtarë të regjimit; c) qytetarë të thjeshtë, që në një mënyrë a në një tjetër iu nënshtruan persekutimit komunist.

3. Paanësia dhe rezervimi në etiketime apo dhënie konsideratash subjektive në raport me personalitetin apo domethënien e secilit prej personave të përfshirë në të.

4. Ndërmjetësia e detyrueshme e «Dëshmive të penalitetit» për çdo zë, si provë e konfirmuar juridike e dënimit zyrtar nga shteti komunist. Për rastet kur këto dëshmi mungojnë (pushkatimet pa gjyq), kemi shfrytëzuar burime të tjera dokumentare dhe memuaristike të dëshmitarëve dhe familjarëve të viktimave («Gazeta zyrtare», gazetat e kohës pa përjashtim, Listat e të Pushkatuarve të hartuara në Ministria e Punëve të Brendshme dhe gjithë format e tjera të dëshmive memuaristike).

5. Seleksionimi nga dosjet gjyësore i atyre rasteve që përbëjnë krim shtetëror për standardet politike të asaj kohe (tradhëti ndaj atdheut me gjithë larminë e akuzave, që përbënin bazën ligjore të këtij «krimi», agjitacion propagandë, sabotim dhe dëmtim i pronës socialiste plus përvetësim pasurie, dekadentizëm, degradim moral, shfaqe të huaja dhe ndikim nga bota borgjezo-revizioniste, përmbysje me dhunë e pushtetit popullor, diversion, tentativat për atentate, revizionizëm, oportunizëm, liberalizëm brenda PPSH, etj., etj.).

6. Respektimi, kriticizmi dhe përqasja e çdo burimi të informacionit për çdo zë.

“Kryengritjet e para kundërkomuniste”

 Uran BUTKA

Ky botim, hedh dritë mbi lëvizjet e para antikomuniste që lindën si një reagim i drejtpërdejtë popullor kundër valës së çmendur të arrestimeve, pushkatimeve, burgimeve e internimeve masive, sekuestrimeve të pronës e të pasurisë private, dhunimit të besimit fetar, çarmatimit të dhunshëm, diskriminimit politik e krahinor dhe luftës së klasave, por edhe për shkak të gjendjes së mjeruar e të shkatërruar ekonomike të popullsisë.

Studimi argumenton se si gjitha këto veprime politike dhe ushtarake të pushtetit ishin të paligjshme, pasi nuk ishin zhvilluar ende zgjedhjet politike për t’i dhënë legjitimitet këtij pushteti; nuk ishte miratuar ende ligji themeltari shtetit, nuk kishte ende ligje të veçanta që të rregullonin jetën apo të justifikonin veprime të tilla arbitrare, që binin ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare, ku Shqipëria kishte aderuar qysh në vitin 1923. Më konkretisht, libri pasqyron tre prej këtyre kryëngritjeve: Kryengritjen e Malësisë së Madhe, Kryengritjen e Postribës dhe Lëvizjen e Zhapokikës.

Studimi krijon një panoramë të plotë organike me një koherencë e kronologji të mbështetur në raporte të hollësishme, radiograme, proces-verbale e shënime, lista e balance të plagosurish e të vrarësh me emra e mbiemra, me dëshmi të shumta arkivore apo gojore, duke rindërtuar një realitet të panjohur në pejzazhin e tij realist dhe dramatik.

Në fund, ky studim i jep përgjigje njërës nga pyetjet më të rëndësishme mbi përgjegjësinë historike, nëse rezistuan shqiptarët komunizmit apo jo dhe me çfarë kostoje?

“Fillimet e diktaturës komuniste në Shqipëri; 1944-1948”

 Çelo HOXHA

Ky botim studimor, paraqet interes historik sepse pikërisht aty zënë fill gjithë krimet e regjimit komunist. Në atë periudhë nisi dhunimi ilirive të indivdit, shkatërrimi i pronës, u instalua monopartizmi dhe Shqipëria funksiononte si satelit i Jugosllavisë. Në librat e historisë deri tani periudha 1944-48 është paraqitur si periudha e rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta por, në fakt, me vendosjen e regjimit komunist zuri fill shkatërrimi i ekonomisë me grabitjen e pronës në emër të sekuestrimeve të pronës së kundërshtarëve politikë, në emër të shtetëzimit të saj, kolektivizimit dhe reformës agrare. Të gjitha këto çuan në varfërimin ekstrem të shoqërisë shqiptare. Në marrëdhëniet e jashtme Shqipëria u izolua krejt në këtë periudhë dhe e vetmja mundësi komunikimi me botën ishte përmes Beogradit, duke rënë në varësinë totale të Jugosllavisë.

Momentet kryesore që analizon ky studim janë: vendosja e regjimit ushtarak në Shqipëri, ekonomia shqiptare ne periudhën 1945-1948 dhe roli i Jugosllavisë në qeverisjen shqiptare në vitet 1945-1948.

Burimet kryesore dokumentuese të shfrytëzuara nga ky studim janë: Arkiva e Ministrisë së Brendshme, Dosja e Gjyqit Special, The National Archive, në Britaninë e Madhe, etj.

“Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit, në Shqipëri”

Leka NDOJA

Ky projekt studimor fokusohet mbi sekuestrimin, zhdukjen, tjetërsimin e paligjshëm të pronës intelektuale si një nga format e genocidit komunist në Shqipëri. Në ditët tona, ne dëgjojmë për libra të zhdukur nga qarkullimi, por edhe të zhdukur nga bibliotekat familjare të pronarëve; objekte me vlerë kulturore dhe studimore të trashëguara për disa breza, vepra arti, dorëshkrime ose libra autorialë, artifakte, të cilat u morën me forcë nga pronarët apo u kthyen në pronë të institucioneve publike, u përvetësuan nga të tjerë, ose u zhdukën për fare. Kjo grabitje bëhej nën emrin e kolektivizimit të pronës ose nën etiketimin e tyre si vepra anti-komuniste dhe dekadente, të cilat mund të “dëmtonin” moralin komunist. E drejta e pronësisë intelektuale madje kufizohej edhe në kushtetutën e asaj kohe, ku autorëve dhe pronarëve u hiqej e drejta mbi to nëse objekti ose vepra nuk përputhej me ideologjinë ose me filozofinë zyrtare dhe me skemat krijuese.

Në këtë studim evidentohet fakti që këto vepra jo vetëm janë sekustruar por shpesh janë shndërruar në objekte akuzash si mjete propagandistike kundër regjimit, dhe shumë prej krijuesve janë burgosur,internuar madje edhe ekzekutuar me këtë motiv.

Por deri tani, këto informacione vijnë ose në formën e rrëfimeve individuale, ose në formën e disa fakteve të shkëputura, në mediat e përditshme. Le të themi që ka munguar një studim serioz shkencor i cili bën anatominë e fenomenit të përvetësimit të pronës intelektuale në komunizëm.

Ky studim, i referohet akteve të tilla të grabitjes intelektuale, duke filluar nga periudha e Luftës Nacionalçlirimtare e pastaj më vonë në periudhën e sekuestrimit të organizuar nga pushteti i ri komunist dhe pastaj i gjithë formave të tjera të ndëshkimit mbi pronën intelektuale, deri në rënien e regjimit. Ky studim sjell fakte arkivore të institucioneve të drejtësisë, nga viktimat dhe dëshmitarët e këtyre akteve kriminale.

“Sistemi i triskëtimit në Shqipëri: 1946-1957”

Davjola NDOJA

Si në të gjitha vendet komuniste, vendosja e regjimit komunist, u shoqërua me krizë ekonomike, shkatërrim të tregut dhe periudha të gjata urie të cilat, rënduan në mënyrë të pabarabartë në klasat shoqërore shqiptare. Një nga momentet më domethënës ishte pikërisht vendosja e sistemit të triskave. Por ndërsa kjo periudhë, është e pashlyeshme në kujtesën e disa brezave, akoma mbetet enigmatike arsyeja dhe ajo që ndodhi me ekonominë shqiptare të pasluftës. Ndërkohë, këto masa rënduan më shumë në klasën e kundërshtarëve politikë të regjimit, të cilët ndërkohë ishin të burgosur,internuar apo të dëbuar nga vendi i tyre. Edhe brenda urisë kolektive, ata ishin pjesa e diskrimunuar. Vuajtësit dhe dëshmitarët e familjeve të internuara në kampet e internimit të asaj kohe, dëshmojnë mbi këtë fakt.

Ky studim që i paraqitet lexuesit, është i pari në llojin e vet, dhe fokusohet në atë periudhë historike të ekonomisë socialiste, të njohur si “sistemi i triskëtimit”, i cili ligjërisht hyri në fuqi më 1946 dhe u shfuqizua më 1957, por vetëm dejure sepse de facto, sistemi i triskëtimit zgjati deri në fillim të viteve ’90.

Ky studim ka për qëllim të njohë lexuesit me mënyrën sesi u veprua për krijimin dhe zbatimin efikas të këtij sistemi në Shqipëri, si një model besnik i sistemit të racionimit sovjetik, i cili çoi në uri të tejskajshme e në vdekjen e miliona rusëve. Momentet kryesore mbi të cilat ndërtohet ky studim janë: situata ekonomike në periudhën e pasluftës në Shqipëri, instalimi i sistemit të triskëtimit, heqja fiktive e sistemit të triskëtimit dhe lufta e klasave.

“Procesi i asgjësimit të fesë në komunizëm”

Azem QAZIMI

Ky studim, ka si objekt fillimin e luftës ndaj fesë si kundërshtare e hapur e ideologjisë komuniste. Lufta qe gjithëpërfshirëse dhe propaganda njohu nivelet e saj më ekstreme e kërcënuese. Me fjalë të tjera, të gjithë klerikët, do të dënoheshin  për agjetacion e propagandë, për veprimtari armiqësore në dëm të “popullit dhe atdheut”. Shteti mori masa të zhdukte çdo trajtë të të menduarit që mund të përbënte pengesë për rrugën e nisur. Studimi trajton në detaje luftën ndaj secilit kler, duke nisur me dekretligjet për çështjet fetare dhe masat që u morën. Lufta ndaj Komunitetit Musliman të Shqipërisë, ndaj Kishës Ortodokse Autoqefale, ndaj Kishës Katolike të Shqipërisë, janë tri nga kapitujt e studimit ku jepen me detaje format e persekutimit të klerikëve, torturat, burgosjet dhe denigrimi figurave të tyre, duke kulmuar me kushtetutën dhe zëvendësimin e kremtimeve fetare me festat socialiste.

“Konfiskimi i pronës dhe grabitja e arit; 1944-1955”

 Alvin SARAÇI

Ky studim fokusohet mbi periudhën e parë të ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste dhe masat e menjëhershme që ajo mori kundrejt kundërshtarëve të saj duke i shkatërruar ata dhe pronën e tyre. Konkretisht bëhet fjalë për periudhën 1944-1955 që përkon me aksionin e përgjithshëm për përvetësimin e pronës dhe arit të shtetasve shqiptarë e të huaj dhe transformimin e ekonomisë kombëtare nga ajo private në ekonomi të centralizuar. Realizimi i studimit mbi sekuestrimin e pronës private dhe arit ndahet në pesë kapituj që reflektojnë etapat e programit ekonomik të periudhës komuniste, mënyrën sesi u vu në praktikë dhe pasojat që solli për ekonominë eleminimi i pronës private.