“Një jetë për Zotin e Atdheun”  Konferencë promovuese në sallën e katedrales së Shën Palit, Tiranë, për librin “I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i kishës martire”

“Një jetë për Zotin e Atdheun”
(Konferencë promovuese në sallën e katedrales së Shën Palit, Tiranë, për librin “I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i kishës martire”, v. 1, me autorë Nikollë Loka dhe Nikolin Kurti, botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2018).
Me datën 9 shkurt 2019, u promovua në sallën e Katedrales së Shën Palit në Tiranë me një konferencë të posaçme me titull “Një jetë për Zotin e Atdheun” monografia “I Lumi Dom Shtjefën Kurti, Dëshmitar i kishës martire” vëllimi 1, botim special i ISKK. Në panelin e ligjëruesve të kësaj Konference ishin imzot George Frendo O.P kryeipeshkëv metropolit i kryedioqezës Tiranë-Durrës që ka shkruar dhe parathënien e monografisë, Nunc Apostolik në Shqipëri, Shkelqësinë e tij, imzot Charles John Broën, drejtori ekzekutiv i ISKK, z. Agron Tufa, princi Leka Zogu II, Prof. asoc. Eugen Pepa, Dr. Albert Gjoka dhe dy autorët e librit, z. Nikolin Kurti dhe Nikollë Loka.
Folësit theksuan se vepra është një studim mbi veprimtarinë e meshtarit të jashtëzakonshëm e martirit shqiptar, dom Shtjefën Kurtit. Jeta e ketij martiri ka qenë një epope e vërtetë. Shpirti i tij i madh nuk u lodh kurrë, nuk u venit, nuk u mek asnjëherë, por gjithnjë dha një shembull të shkëlqyer se si mund të mbijetojë një njeri, si mund të japë vlera atdhetarie edhe mbi mundësitë që ka për popullin e vet. Jetoi, punoi dhe vdiq për idealet e shenjta, për mbrojtjet e kombit, për të cilat do të sakrifikohej çdo shqiptar i ndershëm. Madje, deri edhe trupi tij pajetë u përdor nga komunistët si kufomë për praktikat mësimore të studentëve të fakultetit të mjekësisë, në shenjë urrejtje nga shteti komunist ndaj këtij njeriu të mrekullueshëm që luftoi për liri, jetë dhe atdhe.
Kjo monografi, përveç trajtimit të jetës dhe veprës të dom Shtjefën Kurtit, është i pasur edhe me të dhëna historike, shoqërore e politike të kohës ku jetoi e veproi I Lumi Dom Shtjefën Kurti, martir i fesë dhe i kombit. Monografia është, pra, një sintezë e shumë ngjarjeve nga periudha në fjalë dhe njëherësh përbën një kontribut të çmueshëm për historinë e popullit shqiptar.
Drejtori ekzekutiv i ISKK, z. Agron Tufa theksoi, se Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit ka ndriçuar vazhdimisht në aktivitetet shumëplanëshe tragjeditë e klerit në përgjithësi dhe tragjedinë e klerit katolik në veçanti gjatë diktaturës komuniste. Ai theksoi, se priftërinjtë katolikë, jezuitë dhe françeskanë, ishin elita fetare e nacionaliste që i priu shoqërisë shqiptare që në shekullin XIX për ta ndriçuar atë jo vetëm me dritën e besimit në Zot, por me një veprimtari të dendur kulturore, arsimore e atdhetare. Priftërinjtë katolikë, nën shembullin më të mirë të të cilëve ishte dhe i lumi dom Shtjefën Kurti, ishin, më së pari, edukatorë kombëtarë. Eliminimi i kësaj elite i hapi udhë më vonë skllavërimit e robërimit të pandalshëm të ndërgjegjes së shoqërisë, duke e tjetërsuar dhe shpërfytyruar atë, larg prej besimit në Zot, larg nga kultura dhe edukimi shpirtëror.
ISKK, theksoi Tufa, ka pasqyruar vazhdimisht në botimet e veta, pjesë nga trashëgimia e këtyre martirëve të fesë dhe kombit dorëshkrime me vlerë të madhe, studime, monografi, përkthime e vepra të tjera. Vepra monografike mbi dom Shtjefën Kurtin, që do të vazhdojë, është veçse njëra prej tyre. Më parë janë botuar tre vëllimet e mbetura në dorëshkrim në AQSH të Atë Benedikt Demës “Fjalor i shtjelluem enciklopedik shqip-shqip”, një monografi mbi Atë Pjetër Mëshkallën, “Dosja e Diktaturës” nga i ndjeri Pjetër Pepa që përmban në një pjesë të mirë tragjedinë e Kishës katolike si dhe ka në proces veprën madhore “Illyricim sacrum, Acte albanica”, vëllimin e parë, të përkthyer në burg që në vitet ’60 nga dom Frano Ilia, një vëllim ku përshkruhen që nga mesjeta e hershme dioqezat e trojeve shqiptare. Pa llogaritur pastaj një numër të madh librash mbi ngushtimin dhe likuidimin e kuadrit ligjor komunist të besimeve fetare, videorrëfime mbi plojën komuniste të klerit katolik, etj.

53246919_2407259415975084_4635105865207119872_o

53372278_2407259642641728_3495768981380268032_o

53412001_2407257935975232_996246681106251776_o

53535867_2407256575975368_8805807108655153152_o

53916274_2407255879308771_2139188429768884224_o

ISKK