“Akte gjyqësore politike gjatë komunizmit në shqipëri (vëllimi V): Komiteti Ushtarak i Delvinës”

Kopertina

Leka NDOJA

Gjatë vitit 2018, studjuesi Leka Ndoja, përgatiti studimin me dokumente: “Komiteti Ushtarak i Delvinës”, vëllimi 5 i  serisë “Akte gjyqësore politike gjatë komunizmit në Shqipëri”, 340 f. E gjithë seria ka arritur deri tani në 2 000 faqe botim dokumentesh të pajisura: me parathënie, me shënime, hyrje për çdo kapitull dhe përfundime. Libri gjithshtu është i pajisur me aparat shpjegues termash dhe bibliografik.

Hartimi i studimit “Komiteti Ushtarak i Delvinës”, është bazuar kryesisht në burimet arkivore: të Ministrisë së Brendëshme (AMPB), të Ministrisë së Mbrojtjes (AQFA), të AQSH dhe të  arkivave private të familjes së Riza Resulit dhe të Alush Sejkos dhe bashkëpunimit të tyre prej më se një viti, për pasqyrimin e detajuar të kontekstit të persekutimit gjatë viteve 1947-1948 të të ashtuquajturit “Komiteti Ushtarak Klandestin” të Regjimentit 7 të Delvinës.

Libri është i ndarë në tre kapituj; Kapitulli i parë: “Procesi Hetimor”, Kapitulli i dytë: “Procesi i Gjykimit”, Kapitulli i tretë: “Përpunime të Sigurimit dhe Rihapja e Çështjes”, Apendiksi.

Gjatë proceseve zhvilluar nga 27 nëntori deri më 5 dhjetor 1947, në Gjykatën Ushtarake të Gjirokastrës, në gjyqet kundër “Komitetit të Delvinës” u dhanë 15 dënime me vdekje, ndërsa Gjykata e Lartë Ushtarake, la në fuqi 9 prej tyre. Dr. Riza Resuli, Alush Sejko, Myrto Hyso dhe Dr. Paulin Shestani, u ekzekutuan më 13 janar 1948; Koço Manari dhe Shaban Ndreu vdiqën nga torturat në hetuesi.

Ky proces i montuar politik, nga Sigurimi i Ushtrisë në qendër dhe në Regjiment (Shef Sig. i Regj. 7, Nesti Nase) drejtuar nga Koçi Xoxe nën udhëzimet Enver Hoxhës kishte si qëllim të terrorizonte radhët e ushtrisë në jugun e vendit, duke dënuar ushtarakët nacionalistë apo që kishin ardhur me misionin amerikan nga Bari, si Alush Sejko. Gjithashtu, dënimi i dy mjekëve Resuli dhe Shestani, nëpërmjet deklarimeve false, kishte si qëllim implikimin e tyre nga Sigurimi në ngarkim të Grupit të dytë të Deputetëve, proces i cili përfundoi më 22 janar 1948.

Me këtë libër me dokumente krijohet një panoramë e përgjithshme e krijimit të “organizatave” false si “Komiteti Ushtarak i Delvinës”, si pjesë e praktikës së Sigurimit, duke përfshirë në të mjekë të shquar, komunitetin çam, atë të Delvinës dhe ushtarë të thjeshtë. Në këtë proces u arrestuan rreth 100 ushtarakë dhe civilë, me akuza të rreme, të argumentuara nga dëshmitë e disa prej protagonistëve të përmbledhura në këtë vëllim.