“Martiri Dom Shtjefen Kurti”- monografi

dom shtjefen kurti kopertina

Nikolin KURTI, Nikollë LOKA

Monografia e Dom Shtjefën Kurtit është i pari botim në këtë gjini mbi këtë figurë, që më së shumti simbolizon persekutimin e klerit katolik në Shqipëri nga regjimi komunist. Siç shfaqet edhe në biografinë e tij në këtë libër, Dom Shtjefën Kurti ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve dhe në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve; me mbështetjen e Mbretit Zog, hartoi përkujtesën  “Gjendja e pakicës shqiptare në Jugosllavi”, e cila iu dërgua Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

I arsimuar në Itali dhe Austri, me një reputacion të jashtëzakonshëm në popull si klerik dhe atdhetar, viti 1945 e gjeti Dom Shtjefën Kurtin famulltar në kishën e famullisë katolike në Tiranë. Por këtu fillon edhe përndjekja e tij që nuk ndalet asnjë çast deri në vdekjen e tij. Më konkretisht, ai u arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me 20 vjet burg si agjent i perëndimit. Lirohet nga Burgu i Burrelit në vitin 1966, dhe arrestohet sërish në vitin 1971, për spunazh, sabotazh, dhe kryerjen në fshehtësi të riteve fetare. Madje hitstoria e tij e ekzekutimit vetëm për shkak se pagëzoi një fëmijë, ka mbetur në kujtesën kolektive si një nga përvojat më absurde dhe më të shëmtuara të komunistëve. U pushkatua, por sot e kësaj dite nuk gjenden eshtrat e tij. Me 5 Nëntor 2016, Dom Shtjefën Kurti qe një nga 40 klerikët që u lumnua si “Martir” dhe u pranua shenjtor i Kishës Katolike.

Për hartimin e kësaj monografie, autorët i janë referuar dokumentacionit të AQSH, Ministrisë së Brendshme, arkivës së Vatikanit, si edhe studimeve të shumta dhe artikujve shkencorë të realizuar deri tani mbi Klerin Katolik, që në këtë rast shërbejnë si burime të ndërmjetme referimi.