“Ferri” i Dante Alighieri-t

7. ferri

Përkthyer nga Hektor SHËNEPREMTE

Nuk është e rastësishme që ky përkthim i “Ferrit” të Dantes vjen në përkthimin e një ish-të përndjekuri politik të diktaturës komuniste, tashmë të të ndjerit Hektor Shënepremte (1921-1997). Në fakt, të gjitha përkthimet e “Komedisë hyjnore” që kemi në shqip, janë përkthyer/shqipëruar nga ish-të dënuar dhe të internuar politikë të regjimit komunist. Dy përkthyesit e “Komedisë” së plotë të Aligerit – mjeshtat e mëdhenj – Pashko Gjeçi dhe Mark Ndoja, që të dy njohës të thellë të poezisë klasike romano-latine, ishin ish-të dënuar të regjimit. Që të dy e patën përmbushur përkthimin integral të “Komedisë hyjnore” në tercina të rimuara, në një gegënishte të pasur leksikore e idiomatike, plot kumbe e jone muzikore, pra, në përkthim poetik. Ndërsa përkthimi i Pashko Gjeçit mbeti i vetmi botim (dhe ribotim) deri në rënien e komunizmit, përkthimi (gjithashtu i plotë) i Mark Ndojës e pa dritën e botimit pas rënies së komunizmit, pra, postmortum.

Përkthimi i dytë në shqipen standarde (pas Cezar Kurtit) dhe i vetmi në llojin e vet i pjesës së parë të “Komedisë”, pra, “Ferri-t”, është ky përkthim i Hektor Shënepremtes, gjithashtu, edhe ky, pa e prishur traditën e të dënuarve dhe të dëbuarve të mëparshëm nga regjimi. Është i vetmi në llojin e vet ky variant, sepse është sjellë në llojin e përkthimit ad literam (përkthim i fjalëpërfjalshëm), domethënë i parimuar, jopoetik. Në fakt, në traditën tonë përkthimore tipi i përkthimit të fjalëpërfjalshëm ndeshet rrallë, por në kulturat e huaja letrare është shpesh herë një lloj përkthimi me rëndësi të madhe, për të kuptuar sa më saktë e besnikërisht idetë, mendimin dhe imazhet strikte të origjinalit.

Siç e kemi bërë të njohur edhe më parë, ky botim i përket atyre veprave që më së pari kanë të bëjnë me një nga objektivat e ISKK për njohjen dhe publikimin e trashëgimisë së burgjeve dhe kampeve, veprave të shkruara, përkthyera, lëvruara nën presion politik, në fshehtësi, dhe të cilave u është mohuar e drejta e publikimit. Është pikërisht procesi i përkthimit në kushte të jashëzakonshme, ajo që përbën edhe simbolikën e këtij botimi.