“Një si mijëra familje të tjera”

Musa ÇAPANI

Bëhet fjalë për një seri portretesh e skicash, peisazhesh e vizatimesh, kronologji emrash e familjesh, nga kampe të ndryshme internimi, duke filluar nga “kampet me tela”, e mandej nëpër kampe të tjera internimi me punë të detyruar anekënd Shqipërisë komuniste. Pamjet që ofrohen janë ngjethëse; përshkrimi narrativ që shoqëron albumin, po kaq ngjethës.

Autori i këtij libri, Musa Çapani, ka kaluar nëpër pesëmbëdhjetë kampe të tilla, duke filluar nga viti 1948, e deri në vitin 1991. Pas burgjeve, siç rrëfen ai vetë, të parët u hapën vendqëndrimet e internimit në kalatë e Krujës, Beratit dhe në Fermën e Kamzës. Më vonë u shtuan dhe kampe të tjera. Pas vitit 1960, Shqipëria u mbush e tëra me kampe internimi e dëbimi. Viti 1991 familjen Çapani e gjeti në tre vende internimi: Grabjan, Petë, Çermë–Kamp.

Falë talentit dhe ndjeshmërisë së këtij njeriu, ne kemi shansin që t’i ofrojmë sot publikut imazhe, dëshmi të prekshme të vuajtjeve, persekutimit mizor të shumë familjeve për motive politike në komunizëm, një botim ky që merr një rëndësi të qartë në kushtet e mugesës së dokumentacionit dhe gjurmëve fizike të këtyre ngjarjeve. Dhe kjo nuk ndodh falë ambicjeve artistike të autorit, por vetëdijes për të dëshmuar. Ose siç shprehet vetë ai: “Unë tregova atë që jetova… Këtë iniciativë timen dëshiroj që ta vijojnë edhe bashkëvuajtës të kampeve në të cilët unë nuk kam jetuar. Sa më shumë përvoja të tilla të kemi, aq më e saktë dhe e plotë do të dalë e vërteta për familjet që vuajtën internim-dëbimin dhe vetëm kështu do t’u pritet rruga spekullimeve për numrin real të familjeve që realisht u internuan apo u dëbuan dhe që e kaluan tërë jetën larg vendlindjes së tyre, në vendqëndrimet e detyrueshme të skëterrës komuniste.”