“Akte gjyqësore politike gjatë komunizmit në Shqipëri: Grupit Tekniko-intelektual” (Procesi i Maliqit)”

11. leka ndoja aktet

Leka NDOJA

Në këtë vëllim prej 320 faqesh, të pajisur me shënime, një hyrje dhe përfundime, jepen argumente lidhur me kontekstin historik e politik të Procesit të Maliqit, që i shërbeu regjimit komunist të Tiranës si shkak për largimin e Misionit Ushtarak Amerikan nga Shqipëria. Në këtë studim janë shfrytëzuar dokumente arkivore të: AQSH, AMPB, AISKK, Obopus Bfiend, (Bfiend operations), “Security information”, Washington D.C.,  CIA, Un. Wisconsin, etj.

Studimi ka këtë përmbajtje:

Kapitulli i Parë: Procesi Hetimor i, Ing. Abdyl Sharrës, Ing. Kujtim Beqirit, Ing. Vasil Manos, Zyrika Manos, Llog. Eugenio Scaturo, Gjeom. Mirush Përmeti, Ing. Aleks Vasili.

Kapitulli i Dytë: Procesi Gjyqësor i Kënetës së Maliqit i (Ing. Sharra, Ing. Beqiri…), Procesi Gjyqësor i kënetës së Maliqit II (Gjeom. Përmeti , Ing. Vasili…)

Kapitulli i tretë: Analiza të Sigurimit & Shkresa.

“Gjyqi i Grupit Tekniko-Intelektual”, mori këtë emërtesë gjatë zhvillimit të hetimeve dhe të procesit gjyqësor të “Grupit të Deputetëve”, kur akuza e mbiquajti Riza Alizotin si kryetar të këtij grupimi ashtu sikundër Sigurimi i Shtetit e detyroi përkthyesin Beqir Çela të vetë-emërohej nënkryetar. Ky klasifikim është shoqëruar edhe me emërtime të tjera propagandistike si: elementë, grup, klasë apo organizatë: tekniko-intelektuale, tekniko-profesionale, agjento-sabotatore, tekniko-kriminale, agjenturore etj. Këto emërtime u vendosën për të penalizuar veprimtarinë e njerëzve që ishin shkolluar në Shkollën Teknike të Tiranës “Harry Fultz”, apo të intelektualëve që kishin studiuar në Robert College në Stamboll si ing. Riza Alizoti, ing. Skënder Dako, Dr. Gjergj Dako etj.

Në vendimet e 2 gjyqeve ndaj intelektualëve dhe teknikëve që punuan në tharjen e Kënetës së Maliqit, u  dënuan me vdekje 7 specialistë. Dy prej të ekzekutuarve ishin të huaj: kroatja Zyrika Mano dhe italiani Eugenio Scaturo. Përfshirja e të huajve në dënimet kapitale u bë për t’i dhënë gjyqit një përmasë ndërkombëtare. Ndërsa maksimumi i dënimit u zbatua ndaj dy inxhinierët vlonjatë Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri. Ky proces u pasua edhe nga hetime dhe gjyqe të tjera që shoqëruan prishjen e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Britaninë e Madhe dhe SHBA, të cilët mbyllën përfundimisht misionet përkatëse në Tiranë. Gjatë punimeve, dhe bonifikimit të plotë të Maliqit, ku norma e çdo vullnetari do të ishte 2.5 m3, dhe e të burgosurve 3.5 m3, janë vrarë apo janë varrosur të gjallë në moçal apo në skarpatet e kanalit 63 të burgosur politikë.