“Terrori komunist i vitit 1951”

10.1 TERRORI KOMUNIST KOPERTINA

Kastriot DERVISHI

Në këtë studim, bazuar mbi dokumente autentike nga arkivat shtetërore, studjuesi Kastriot Dervishi, fokusohet posaçërisht në historikun e Grupit të Rezistencës, Bashkimit Kombëtar dhe ngjarjes së vënies së dinamitit në legatën sovjetike.

Për më gjërë, ky studim ka në qendër të vëmendjes së tij organizimin e fshehtë të qëndresës antikomuniste në formën e organizatave ilegale, si dhe atë të luftës që iu bë inteligjencies së shtresës së mesme, në administratën e shtetit komunist deri në vitin 1951. Sipas autorit, “Është përzgjedhur kjo kohë, sepse ngjarjet lidhen njëra me tjetrën, janë ndriçuar jotërësisht, si dhe kanë pasur ndonjëherë edhe përfundime të gabuara. Studimi im është bërë që ngjarjet e kësaj kohe të mos ngelen vetëm në interpretimin e Sigurimit të Shtetit dhe propagandës komuniste të kohës.”

Diapazoni i ngjarjeve që zhvillohen midis viteve 1949-1952 përbën sfondin e përndezur të survejimeve, gjurmimeve, burgosjeve e pushkatimeve dhe që konsiderohet si lulëzimi më i zi i terrorit stalinist në Shqipërinë komuniste. Ngjarjet kulmojnë me hekatombën intelektuale të shkurtit 1951, pushkatimin pa gjyq të 22 prej martirëve, qindra arrestimeve etj, dhe asaj që njihet në histori si “incidenti i bombës në legatën sovjetike”.