“At Pjetër Mëshkalla S.J”

Fritz RADOVANI

Ky botim monografik pasqyron biografinë, jetën dhe veprën e At Pjeter Mëshkallës (1901 – 1988), intelektual, atdhetar e prift shkodran, i burgosur disa herë nga diktatura komuniste, deri në pushkatimin e tij.

Autori e ndan librin në nëntë pjesë. E nis rrëfimin me lartësimin e portretit të tij si atdhetar, meshtar jezuit, qendresën e tij etiko – jetësore, besnikërinë e tij ndaj bindjeve të tija të palëkundshme filozofike, fetare e njerëzore, duke dhënë, po ashtu, edhe sinteza të kontekstit kohor të ngjarjeve, nëpërmes kujtimeve e të evokimeve. Po në frymën e këtij dokumentacioni, për ta parë edhe në një plan tjetër shembëlltyren vepruese të këtij jezuiti shqiptar, në pjesen e dytë jepen pjesë nga trashëgimia letrare e shkrimore e At Mëshkallës (poemat “Kanga e Isaisë”, “Krishtlindje në Shkoder”, “Nanë  ktheu”…dhe  gjashtë  pjesë  të  poems “Hipokrizia”…etj. deri në 1982.) Në pjesen e tretë, autori trajton biografinë e shkurtër të At Mëshkallës. Duke e ndërthurur shpesh  refleksionin me komentin lirik, sintezën përshkruese me faktin, portretin e shembëlltyrës me kontekstin historik e shoqëror, shquhet modaliteti dokumentar i Fritz Radovanit. Pjesa e katërt (“Ai nuk perkulej!”) jep shkallë – shkallë vendosjen e regjimit komunist dhe luften e këtij regjimi kundër klerit dhe fesë përgjithësisht, dhe ballafaqimet dhe qëndrimet e At Mëshkallës kundrejt qendrimeve zyrtare, në shtypin e kohës… Në kapitullin “Ai nuk thyhej!” paraqiten vitet ’50, ’60 të diktaturës kundër fesë, dhe viti 1967, kur u mbyllen përfundimisht kishat dhe Shqipëria shpallet shtet ateist.

Historia që vëzhgohet e dokumentohet në këte monografi, është ajo më e reja, që i gërmon këto rrënjë shqiptare e fetare, që gërmon harmoninë shqiptare përballë fytyrës së krimit dhe egërsisë së ndërhyrjes së armiqve shqiptarë, sllavëve, të cilët injektuan ideologji përçarëse. Parametër i këtij gjurmimi gjithnjë është humanizmi, njeriu, fytyra njerëzore.

Drita dokumentuese, e hedhur nëpër minierat e kujtesës e të katakombeve të historisë më të re, përqendrohet pikërisht në kërkimin e së Vërtetës. Prandaj, lënda e shtrirë dokumentare strukturohet nga referencat e shumta, nga kujtimet, rrëfimet, dëshmitë, ditarët, reportazhet, letrat, korespondencat, të gërshetuara me rrëfimin biofiksional e me pasazhet lirike narrative; që e shtyjnë autorin të japë një precedimor karakteristik të thurjes së librit. Prandaj, sa e lexojmë esenë dokumentare në trajtën e hibridizimit të zhanreve, sa lexojmë thënien dokumentare – realiste të përshkrimëve, kroniken dhe monologun e brendshëm, një procedimor – kolazh, ku përvijojnë linjat kronologjike – dokumentare .