“Në rrathët e ferrit”

cover

(Album)

Lek PERVIZI

Autori i këtyre pikturave, portreteve, grafikave e vizatimeve është gjallë, por jo të gjithë, e ndoshta pjesa dërrmuese e personazheve të lapsit e thëngjillit të tij, nuk është më. Ata na vijnë si jehonë e një të shkuare tragjike e çnjerëzore, falë mjeteve rrethanore që i fiksoi lapsi e thëngjilli i bashkëvuajtësit të tyre, Lekë Pervizit. Ata portrete, etyde dhe skena të populluara me dijetarët e fisnikët e Shqipërisë, mbetën prore në fletët e zverdhura të piktorit të ri, që ndau të njëjtin kalvar vuajtjesh e kurajoje me ta, për t’u madhuar shpirtërisht e për të mos u përkulur para terrorit të policëve të kampeve, apo punës së rëndë dërrmuese dhe urisë shfytyruese. Albumi që ju ofrojmë me këtë botim të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), na paraqet realitete të një Shqipërie fare pak të njohur, ndoshta vetëm nga ajo pjesë që mbeti apo një tepricë e vogël, që i mbijetoi skëterrës komuniste. Një pjesë përfaqësuese e këtyre pikturave që kemi mbledhur në këtë album, i kanë mbijetuar ferrit komunist, fatmirësisht, bashkë më autorin e tyre, “piktorin e kampeve”, siç është bërë zakon ta quajnë, zotni Lekë Pervizin, piktor, shkrimtar, poet, publicist, historian e përkthyes, një arkivë e gjallë memoriale me energji të pashtershme, ndonëse udhëton drejt të 86-ve në moshën e tij. Kështu parakalojnë duke çarë mjegullimën e kohës përmes grafitit e thëngjillit personalitetet e shkencës, artit, mendimit dhe fisnikërisë shqiptare – Reshit Mulleti, Ernest Dosti, profesor Ali Cungu, Ylber Starova, shkrimtari Mitat Arianiti, doktor Nedim Kokona, oficer Valentin Pervizi, Viktor Dosti, Ibrahim Sokoli, filologu e përkthyesi prof. Guljem Deda, Pjetër Bardheci, Dr. Sandër Sara, Loro Muzhani, Dr. Ali Erebara, Latif Spahiu e Eshref Frashëri, Tomor Dine, deri tek malësorët Llesh Dodë Gjini, Gjin Lleshi, Bajazit Kaloshi, mbesat e autorit Eva dhe Edi, nëna, dhe portretet e Bebës, që më vonë do të jetë bashkëshortja e tij, deri tek djemtë e piktorit Leonard, Dorian e Aurel Pervizi.

Pikturat, vizatimet, skenat dhe etydet e Lekë Pervizit nuk u krijuan në kushte normale, për t’i paraqitur para syrit vlerësues të jurive në ndonjë përvjetor të partisë apo jubile çlirimi. Ata fiksuan atë përditshmëri të kampeve të vdekjes, për të dëshmuar ekzistencën me tmerret e privimet e saj nën egërsinë e kërbaçit dhe mizorive të policëve, siç na paraqiten në skenat e vizatuara brenda kampit dhe në punë të detyruar. Këto skena, grafika, kompozime janë lënda e errët e një përditshmërie. Ky Album është një ndër dëshmitë që i ka rezistuar kohës. Le ta marrë gjithkush si dëshmi, si art i mbijetuar, si shkas për të medituar mbi egërsinë e konservuar në eshtra të komunizmit shqiptar mbi elitën dhe aristokracinë mendore e shpirtërore të kombit tonë, mbi ata që shënuan një çarje të thellë e zor të riparueshme midis Veriut e Jugut, midis të krishterëve e myslimanëve, midis kohërave e brezave. Dhe, padyshim, le të mbetet ky Album, si homazh për ata që nuk arritën t’u mbijetojnë kampeve komuniste të vdekjes.