Prezantimi i librit me ilustrime mbi Sabiha Kasimatin në Bibliotekën Publike “Hamit Beqja”, në Tiranë

1 Korrik, 2022

Instituti e Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në bashkëpunim me Bibliotekën Publike “Hamit Beqja” në Tiranë, realizoi një takim me nxënësit e arsimit të ulët dhe lexues të rregullt të kësaj biblioteke, objekti i të cilit ishte njohja e tyre me figurën e Sabiha Kasimatit përmes prezantimit të librit me ilustrime “Kundër rrymës – një histori për Sabiha Kasimatin – miken e peshqve”.

Drejtuesja e Bibliotekës dhe koordinatorja e këij takimi, z.Anisa Ymeri, me një gjuhë të përshtatur për këtë grupmoshë, bëri një prezantim informues të këtij botimi. Duke shfrytëzuar afeksionin dhe njohurite e tyre mbi shkencat, natyrën, historinë, drejtuesja e projektit të këtij botimi, znj.Luljeta Lleshanaku, i futi lexuesit e vegjël në botën e Sabiha Kasimatit, e cila jetën e saj akademike ia kishte kushtuar pikërisht studimit të natyrës shqiptare, duke i folur më tej, pastaj për fatin tragjik të gruas e cila ra viktimë e terrorit komunist. Ajo foli edhe mbi punën e grupit të artistëve që punuan për këtë botim, për zgjedhjen e simbolikës së ilustrimeve sa më afër botës së fëmijëve, domethënien e tyre, dhe hollësi të tjera të cilat lidhen me krijimin e karakterit letrar të Sabiha Kasimatit dhe dramës komuniste në përgjithësi. Në pjesën e dytë të takimit, redaktorja e botimeve në ISKK, znj.Violeta Murati dhe znj. Anisa Ymeri, lexuan kapituj nga libri, interpretuan simbolet dhe iu përgjigjën pyetjeve të lexuesve të vegjël mbi këtë libër.

Libri me ilustrime “Kundër rrymës – një histori për Sabiha Kasimatin – miken e peshqve” me autore aristet lituaneze Vytene Muschik dhe Lina Itagaki, është një nga botimet e ISKK, përcjell një histori të pershtatur për fëmijë për shkencëtaren Sabiha Kasimati, e pushkatuar nga regjimi komunist, ne shkurt 1951. Jeta e biologes dhe iktiologes Sabiha Kasimati rrëfehet përmes ilustrimeve nga perspektiva e peshqve, të cilët ajo i studioi intensivisht, duke ngritur edhe të parin muze të shkencave të natyrës, pasi kishte studiuar peshqit e ujërave të Shqipërisë.

Qëllimi i këtij takimi është nxitja e kureshtjes dhe interesit të kësaj grupmoshe mbi historinë e komunizmit në Shqipëri, dhe orientimi i mësuesve mbi format e komunikimit të kësaj periudhe, në një gjuhë të përshtatshme për këtë grupmoshë. Me këtë rast, Bibliotekës iu dhuruan disa kopje të këtij botimi, që të mund të shfrytëzohen edhe nga lexues të tjerë në vazhdim.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *