“Krahë të këputur”, pjesa II – Memuar

Alma LIÇO

Para dy vitesh, ISKK botoi vëllimin e parë të kujtimeve të Alma Liços (Mirakajt), të titulluar “Krahët të këputur”, në të cilin përshkruhet karvani i gjatë i vujtjeve në tre breza, i një familjeje korçare. Historia tregohet përmes pinjolles së familjes, përmes zërit të një gruaje, gjyshi i së cilës, avokat i shkolluar në Harvard, ishte ekzekutuar si Ballist nga regjimi, në vitin 1945. Rasti i familjes Liço, është një ekzemplar i fatit të të gjitha familjeve të persekutura, i shoqëruar me internime, nxjerrje nga shtëpia, mohim i të drejtës për shkollim, refuzim social, diskriminim që në mosha të vogla, privim nga e drejta e përzgjedhjes së profesionit dhe punës, përveçse punës së rëndë të krahut në bujqësi, ndërtim dhe fabrika. “Katër vite më parë, një zë i brendshëm me orientoi të ulesha dhe të shkruaja historinë e vuajtjeve të mija dhe ato të familjes sime,  të jetuara në terrorin komunist.  Ndjeva se kisha hipur mbi një varkë e cila lëkundej nga erërat e  dilemës dhe pasigurisë. A do mundesha vallë të përshkruaja përjetimet e jashtëzakonshme të asaj periudhe mizore? Kujtimet ishin aty, në zemrën dhe mendjen time, të arkivuara me shumë kujdes. Dhe unë fillova të shkruaj. Ishte një përjetim i  mrekullueshëm. Po nxirrja jashtë vetes gjithë helmin e atyre viteve të mallkuara.”- shpjegon në hyrjen e librit autorja.

Përmes një rrëfimi të gjallë dhe mbresëlënës, ajo na sjell përjetimet e një fëmije, së cilës për motive absurde bota i shkatërrohet brenda ditës: humb shtëpinë, qytetin, ëndrrat, të ardhmen;  përjetimet e një fëmije, që  kushtet e tmerrshme e pjekin para kohe. Densiteti i ngjarjeve dhe detajeve, e bën librin një objekt tepër interesant studimi mbi natyrën e fshatrave të internimit të asaj kohe. Libri mbyllet me një episod edhe më interesant: kthimin në vendin e internimit pas pothuajse 30 vjetësh, e shoqëruar me një ekip televiziv gjerman, i cili po realizon një dokumentar për të. Përballja tronditëse me të shkuarën, arrin edhe pikën më dramatike të ngjarjes.